“Po m’kërcënojnë, s’po më lajnë me marr as bukë e as ujë” - publikohet deklarata me zë e Arlindës në Polici

Emisioni hulumtues “MAT” ka zbuluar detaje të reja nga rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Klan Kosova ka siguruar deklaratën e Arlindës të dhënë me zë në Polici, në të cilën ajo rrëfen për trajtimin që pretendonte se kishte përjetuar brenda shtëpisë së familjes së ish-bashkëshortit.

Në videon e publikuar dëgjohet Arlinda duke përshkruar kufizimet dhe kërcënimet me të cilat, sipas deklaratës së saj, ishte përballur. Ajo kishte kërkuar që ajo familje të largohej, duke treguar se nuk e lejonin as të ushqehej, të pinte ujë ose të shikonte televizor.

Më poshtë deklarata:

Në shtëpi janë njerëz që nuk kanë vendim gjykate me jetu në atë shtëpi. Po ashtu, asnjëherë më parë nuk kanë jetuar këtu por vetëm nga marrja e aktvendimit për urdhër-mbrojtje.

Unë jam bashkëpronare, këta ma kanë uzurpuar shtëpinë, nuk munden me bashkëjetu me mua e as nuk munden me qenë mysafir. Po më kërcënojnë, nuk po më lajnë me marr as bukë as ujë, as televizor me shiku, plus me jetë po më kërcënojnë, edhe rryma u ndal e panë edhe policia që nuk ka rrymë, se e ndalën rrymën.

Djalin nuk e ka lanë Jetoni këtu, në shtëpi dhe në prezencën e policisë ka bërtit, ka sha, edhe ju policia nuk e keni arrestuar. Policia e ka pa kur nuk e ka lënë djalin me hy brenda dhe kur refuzojke me hy brenda, prandaj nuk është çudi asgjë që familjarët e tij po bëjnë brenda kundër meje.

Kërkoj që këta me ma liru shtëpinë deri në përfundimin e çështjes, ngase unë jam bashkëpronare dhe dua të kthehem sipas vendimit në shtëpi. Po ndihem e rrezikuar për jetë, pas ndaljes së rrymës, kanosjes së plakës aty, edhe të miturës, nuk dua të bi në nivelin e tyre për fyerje e fjalët që vazhdimisht i përdorën për kaq orë.

Përfundimisht kërkoj të ma lirojnë shtëpinë dhe të më ktheni në shtëpi sipas vendimit që e kam.