Hoti: Çdo neglizhencë në rastin e Arlindës do të trajtohet konform legjislacionit në fuqi
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se çdo neglizhencë ose përfshirje e mundshme në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Hoti ka deklaruar se institucionet janë duke ndërmarrë masa dhe se rasti duhet të hetohet në detaje, duke theksuar se askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia nëse konstatohet përfshirja e tij.
“Të jeni të sigurt që çka do që është në dorën e institucionit që udhëheq unë. Si ministri, pa kursyer asgjë dhe askënd, do të veprojmë konform legjislacionit në fuqi. Jam shumë i bindur që edhe qeveria e Kosovës dhe e dini, edhe diskutimet publike që kanë qenë, që janë tu marrë masa; janë tu bërë raport, tu hetu rastin, sepse ne pavarësisht dhimbjes që e kemi, ne duhet të hetojmë rastin detaj për detaj. Dhe unë jam i bindur që secili varg zinxhiror që ka pasur neglizhencës apo qëllimit dorë në këtë rast do të trajtohet konform institucionit në fuqi”, tha ai.
Këto deklarata Hoti i bëri në tryezën e diskutimit me temën “Rishikimi i politikave familjare të përgjegjshme ndaj gjinisë në Kosovë: Implikimet financiare, praktikat rajonale dhe alternativat e politikave”, të organizuar nga Instituti Riinvest dhe Forumi Ekonomik i Grave (FEG).