Vrasja e Arlinda Zekajt, protestë në Ferizaj
Në qendër të Ferizajt ka nisur protesta e dytë, duke kërkuar llogari nga institucionet për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Qytetarët që sot po protestojnë në Ferizaj për vrasjen e Arlinda Zekajt po marshojnë sheshit të qytetit me thirrjet “krejt Migjenat n’burg”, duke kërkuar që personat që raportohet ta kenë neglizhuar rastin e viktimës të përballen me drejtësinë.
Protestuesit kërkojnë që rasti të trajtohet me seriozitet dhe që institucionet të japin llogari për veprimet e tyre, ndërsa bëjnë thirrje për masa konkrete që do të parandalonin raste të ngjashme në të ardhmen.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitormiricë të Pejës nga kunati i saj. Para se të vritej Zekaj kishte paraqitur një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente, duke shprehur shqetësime për sigurinë e saj.
Vrasja e saj ka shkaktuar reagime të ashpra qytetare dhe institucionale. Protesta të ngjashme po zhvillohen edhe në Prishtinë.