Togeri Faruk Muqolli refuzon të përgjigjet: S’kam të drejtë të prononcohem

Togeri i Policisë në rajonin e Pejës, Faruk Muqolli, nuk ka pranuar të prononcohet për audioincizimet e publikuara nga biseda e tij me tashmë të ndjerën Arlinda Zekaj, në zyrën e tij, ku ajo shprehte shqetësimet për sigurinë e vet dhe të djalit të saj.

Në audioincizime Arlinda dëgjohet duke i shprehur policit shqetësimin për gjendjen e djalit dhe mungesën e veprimeve nga institucionet.

“U shkatërru shëndeti mendor i djalit tem, nuk keni vepru kurgjo”, dëgjohet duke i thënë ajo Muqollit.

Gjatë bisedës, Zekaj shpreh edhe frikën se mund të vritej, duke paralajmëruar se zyrtarët do të mbanin përgjegjësi.

Dukagjini e ka kontaktuar përmes telefonit Muqollin për të marrë një qëndrim lidhur me përmbajtjen e audioincizimeve.

Megjithatë, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve, duke thënë se ishte i zënë me punë dhe se gazetarja po e pengonte.

Ndër të tjera, Muqolli ka deklaruar se për këtë çështje duhet t’i drejtohen Zyrës për Informim, pasi, sipas tij, nuk ka të drejtë të prononcohet.