Avokati i Popullit për vrasjen e Arlinda Zekajt: Shteti dështoi në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka dyshime serioze për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit, duke vlerësuar se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Ai ka kërkuar zbardhjen e plotë të përgjegjësive, masa konkrete parandaluese dhe llogaridhënie nga autoritetet përgjegjëse.

Qelaj ka thënë se, ndonëse ende nuk është bërë një vlerësim përfundimtar i të gjitha rrethanave të rastit, faktet që po bëhen publike ngrenë shqetësime serioze për mënyrën sesi institucionet kanë vepruar për ta mbrojtur viktimën.

“Ajo që mund të them në këtë fazë, kur ne ende nuk i kemi hetuar të gjitha detajet, është se duket shumë qartë që përgjegjësia e shtetit në këtë rast nuk është treguar në nivelin e duhur. Pra, shteti ka dështuar me i mbrojtë viktimat e dhunës në familje”, ka deklaruar Qelaj.

Ai ka theksuar se shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak se, sipas tij, dështimet e institucioneve nuk janë raste të izoluara, por probleme që janë përsëritur ndër vite, pavarësisht rekomandimeve dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndërhyrje.

“Më të rëndë këtë situatë e bën fakti që këto dështime dhe këto lëshime janë sistematike, janë të vazhdueshme dhe ndodhin përkundër thirrjeve, rekomandimeve dhe ngritjes së zërit për t’i kërkuar shtetit që ta ketë vëmendjen dhe seriozitetin e duhur në qasje. Institucionet duhet të marrin masa parandaluese, sepse kanë përgjegjësi direkte kur një person humb jetën pasi rastin e ka paraqitur para shtetit”, ka thënë ai.

Duke folur për rastet e vrasjeve të grave dhe dhunën në familje, Avokati i Popullit ka theksuar se institucionet publike duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre dhe të mos reagojnë vetëm pasi të ndodhin tragjedi.

Sipas tij, përmasat e problemit kërkojnë një qasje më serioze dhe masa konkrete nga autoritetet përgjegjëse.

“Unë mendoj që nuk është koha të reflektojmë vetëm mbi bazën e pasojave, sepse ato janë tragjike. Vetëm këtë vit janë tetë raste të grave që janë vrarë. Besoj fuqishëm se autoritetet publike duhet t’i marrin përgjegjësitë, sepse për këtë janë të ngarkuara dhe për këtë u është dhënë besimi”, është shprehur Qelaj.

Ai ka rikujtuar se detyrimi i shtetit nuk përfundon vetëm me mosshkeljen e të drejtave të njeriut, por përfshin edhe obligimin për t’i mbrojtur ato në rastet kur ekziston rreziku i cenimit.

“Është përgjegjësi direkte e shtetit, sepse detyrimet pozitive të shtetit nuk janë vetëm të përmbahet nga cenimi i të drejtave të njeriut, por edhe të marrë masa për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave sa herë që ato mund të cenohen”, ka deklaruar ai.

Qelaj ka thënë se Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar raste të ngjashme dhe u ka drejtuar rekomandime institucioneve përgjegjëse, duke përfshirë Policinë, Prokurorinë, gjykatat, Qeverinë, ministritë dhe komunat.

Sipas tij, rekomandimet kanë pasur për qëllim përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së viktimave, rishikimin e procedurave të sigurisë dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të personave që trajtojnë rastet e dhunës në familje.

“Avokati i Popullit ka provuar të jetë në zbatim të mandatit të tij edhe në raste të tjera kur kanë ndodhur situata të ngjashme. Janë shumë rekomandime që u janë dhënë autoriteteve, përfshirë Policinë, Prokurorinë, gjykatat, Qeverinë, ministritë dhe komunat”, ka thënë Qelaj.

Ai ka përmendur edhe obligimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit, duke theksuar se institucionet duhet t’i zbatojnë standardet ligjore me kujdes dhe vigjilencë.

“Përtej asaj që shkruajnë ligjet ose që përcaktojnë ligjet vendore, Konventa e Stambollit përcakton detyrime të qarta të shtetit në raport me masat që duhet t’i marrë për t’i mbrojtur gratë dhe viktimat e dhunës në familje. Nuk duhet të harrojmë se gratë nuk janë viktima vetëm të familjarëve, por mund të jenë viktima edhe të vetë institucioneve, të cilat nuk janë të gatshme t’i përmbushin dhe t’i zbatojnë me kujdes përgjegjësitë dhe detyrat që kanë”, ka theksuar ai.

Qelaj ka bërë të ditur se ndër rekomandimet e përsëritura kanë qenë rishikimi i protokolleve të sigurisë, vlerësimi më i kujdesshëm i rrezikut në rastet e dhunës në familje, funksionalizimi i mekanizmave të monitorimit elektronik dhe forcimi i kapaciteteve të qendrave për punë sociale dhe mbrojtësve të viktimave.

Ai ka vlerësuar se, pavarësisht zotimeve dhe ndryshimeve ligjore, nuk është arritur progresi i nevojshëm për të garantuar mbrojtje efektive për viktimat.

Duke folur për përgjegjësinë e institucioneve në rastet kur viktimat e raportojnë dhunën, Avokati i Popullit ka theksuar se shteti duhet të garantojë mbrojtjen e tyre që nga momenti kur ato kërkojnë ndihmë.

“Viktimat janë viktima të dhunës në familje deri në momentin kur i dorëzohen shtetit. Në momentin kur i dorëzohen shtetit, është detyrë e shtetit ta mbrojë jetën e tyre. Çdo vrasje pas këtij momenti e ngre çështjen e përgjegjësisë dhe barrën që ka shteti për t’i përmbushur detyrimet e veta”, ka deklaruar Qelaj.

Ai ka shtuar se institucionet duhet të sigurohen që edhe në rastet kur rreziku është i lartë dhe mbrojtja është e vështirë, viktima të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme.

I pyetur nëse rasti duhet të pasohet me shkarkime të zyrtarëve përgjegjës dhe me përgjegjësi nga drejtësia, Qelaj ka thënë se fillimisht duhet të zbardhen plotësisht shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar deri te vrasja.

Sipas tij, reagimi institucional nuk duhet të kufizohet vetëm në masa të momentit, por duhet të shoqërohet me hetim profesional, identifikim të përgjegjësive dhe ndryshime që parandalojnë përsëritjen e rasteve të ngjashme.

“Ajo që duhet është që autoritetet, me përgjegjësi, urgjencë dhe profesionalizëm, t’i zbardhin të gjitha shkaqet dhe shkaktarët që kanë çuar deri te ky rast. Një prej detyrimeve që e ka shteti në raste të tilla është, përveç gjetjes së përgjegjësive dhe identifikimit të vendeve ku ka dështuar, edhe marrja e masave për t’i parandaluar rastet e tilla në të ardhmen”, ka thënë ai.

Qelaj ka paralajmëruar se, nëse institucionet nuk veprojnë për të parandaluar tragjedi të tjera, vendi rrezikon të përballet sërish me të njëjtin problem.

“Nëse nuk e bën këtë, atëherë shteti prapë ka dështuar dhe ne mund të flasim deri në rastin tjetër, që fatkeqësisht mund të përsëritet. Pastaj prapë kemi për të kërkuar përgjegjësi dhe prapë kemi për të vazhduar të njëjtin zinxhir”, është shprehur ai.

Avokati i Popullit ka kërkuar që dhuna ndaj grave dhe përgjegjësia institucionale të trajtohen si çështje me rëndësi kombëtare, jashtë politizimit dhe ndërhyrjeve politike.

“Unë mendoj se vendi ka nevojë ta vendosë këtë çështje në nivelin e interesit nacional, me rëndësinë dhe peshën që duhet të trajtohet, duke i lënë anash politizimet dhe ndërhyrjet politike dhe duke e trajtuar nga aspekti ligjor dhe i respektimit të të drejtave të njeriut. Po flasim për raste kur shteti duhet të dalë dhe t’u japë llogari qytetarëve të vet se pse ka lejuar të vritet një grua, kur rasti ka qenë i raportuar më herët”, shtoi Qelaj. /EO