Rrustemi: Nisja e strategjisë për apelin në Hagë, përgjegjësi shtetërore
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se me nisjen e punës së grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore për fazën e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, drejtuar nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, për herë të parë po ndërtohet një përgjigje e organizuar shtetërore ndaj një procesi gjyqësor që, siç tha, ka prodhuar pasoja të rënda politike, juridike dhe njerëzore.
Ai ka rikujtuar se Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se qëndrimi i partisë ndaj saj nuk ka ndryshuar.
“Ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin tonë për Gjykatën Speciale. Nuk kemi harruar as mënyrën se si u themelua, as votimin e saj në Kuvend, as paralajmërimet që u shpërfillën”, ka deklaruar Rrustemi në seancën e sotme të kuvendit.
Ai ka theksuar se përgjegjësia penale duhet të jetë individuale dhe se askush nuk duhet të dënohet për përkatësinë në një ushtri çlirimtare apo për historinë e një organizate.
“UÇK-ja nuk ka nevojë për rehabilitim historik. Lufta e saj ishte luftë për liri. Drejtësia ka detyrim të gjykojë individët sipas provave, pa e shndërruar historinë e çlirimit në objekt të një fajësie kolektive”, ka thënë ai.
Rrustemi ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore në Hagë, duke përmendur vitet e kaluara në paraburgim nga ish-drejtuesit e UÇK-së dhe pritjen e familjeve të tyre për përfundimin e proceseve.
Sipas tij, nisja e punës për strategjinë shtetërore të apelit shënon marrjen e përgjegjësisë në nivel institucional, ndërsa ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe koordinim të të gjitha institucioneve.
“Kemi para vetes një betejë komplekse. Na nevojitet bashkërendim, bashkëpunim, bashkëveprim, sot më shumë se kurrë”, ka përfunduar Rrustemi.