Tahiri akuzon Vetëvendosjen se po tenton të përfitojë politikisht nga vrasja e Arlindës

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës, ka akuzuar deputetë të Vetëvendosjes se po tentojnë të përfitojnë politikisht nga vrasja e Arlinda Zekajt, duke i ndërlidhur emrat e udhëheqësve të Aleancës me të dyshuarin.

Zekaj u vra ditë më parë ndërsa i dyshuar është kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi denoncoi në institucione kërcënimet nga bashkëshorti e pak ditë pasi çoi letër te institucionet e sigurisë duke kërkuar mbrojtje.

Në drejtim të deputetit të LVV-së, Taulant Kelmendi, Tahiri ka thënë se ai ka bërë përpjekje që ta lidhë të dyshuarin me udhëheqësit e AAK-së pasi janë parë në një fotografi e në drekë të përbashkët.

Ai akuzoi edhe deputeten Arjeta Fejza që tha se ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, është përfolur për dhunë në familje.

“Përfitimi i ulët politik i cili synohet të fitohet nga një tragjedi e cila ka goditur secilin njeri normal në këtë vend. Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasur evidencë, secili prej nesh e prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende s’ka qenë në dhe”, u shpreh Tahiri.