Vrasja e Arlinda Zekajt - përveç Prishtinës e Ferizajt, nesër do të protestohet edhe në Pejë

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara në Kosovë do të vazhdojnë sot, më 29 tetor, në Prishtinë e Ferizaj.

Kurse nesër, më 30 tetor, do të protestohet në Pejë.

Kështu ka bërë të ditur iniciativa “Peja nuk hesht”, duke shtuar se protesta do organizohet në bashkëpunim me QIKA-n dhe Rrjetin e Grave të Kosovës.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Peja nuk hesht! Kërkojmë drejtësi për Arlinda Zekaj!

Sheshi Skënderbeu, në Pejë, ora 12:00.

Ditët e fundit kemi parë një zinxhir dështimesh institucionale, të cilat përfunduan në vrasjen e Arlinda Zekaj. Vetëm pak pasi u shoqërua nga policia në shtëpi ajo u vra mizorisht me sëpatë u vra nga kunati i saj. Ky rast i femicidit ishte dokumentuar nga e ndjera me një varg ankesash rreth papërgjegjësisë së Prokurorisë e Policisë së shtetit të Kosovës dhe Qendrës për Punë Sociale në Pejë.

Rasti i Arlindës është rasti i shtatë i raportuar i femicidit këtë vit. Ne, si bashkëqytetarë, nuk mund të heshtim gjersa gratë vazhdojnë të vriten padrejtësisht.

Solidarizohemi dhe jehojmë kërkesat e protestës kombëtare të së mërkurës, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, të thirrur nga Kolektivi Feminist për Mendim dhe Veprim Feminist. Vrasja e Grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare!

Për Arlindën, për çdo grua, për drejtësi dhe llogaridhënie institucionale!