Vrasja e Arlinda Zekajt, Haradinaj kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Haradinaj ka thënë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjithë, duke nënvizuar se është e domosdoshme që të ketë përgjegjësi për atë që ka ndodhur.
“Ajo që ka ndodhur është e dhimbshme, është një tragjedi. Edhe një reflektim, domethënë, dhënia e përgjegjësisë dhe llogaridhënia janë diçka e domosdoshme tani prej të gjithëve”, ka deklaruar Haradinaj për Ekonominë Online.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor rreth orës 21:00 në Vitomiricë të Pejës.
Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda u ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, ishte paralajmërimi i saj.
Sipas Prokurorisë, Zekaj dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj.
Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan.
I dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar rreth orës 23:40, pas një operacioni policor dhe bashkëpunimit me qytetarët.
“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po të martën Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës”.
Kërkesën për paraburgim e kishte bërë Prokuroria Themelore në Pejë.
Në njoftim të Prokurorisë thuhet se ai nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës së Pejës për qëndrim në distancë. Në kërkesë, Prokuroria ka bërë të ditur se Sylaj e ka kërcënuar viktimën e se ia ka hedhur rrobat nga rrobalarësja në oborr të shtëpisë.
“Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën 'Mon Dedushaj', në fshatin Vitomiricë, komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur Pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026. Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë. Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga Neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur protestë kombëtarenë Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Mesazhi kryesor i protestës ishte: “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Vrasja e Arlinda Zekajt ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar kësaj të fundit kthimin në shtëpi, dhe tri ditë pas ankesës së saj në institucionet e drejtësisë. /EO