Cristiano Ronaldo mposht Messin në votimin B.O.A.T., sezoni 2007/08 kryeson renditjen

Cristiano Ronaldo po fiton duelin me Lionel Messin në një votim të veçantë të organizuar nga France Football, ku tifozët zgjedhin sezonin më të mirë në historinë e fituesve të Topit të Artë.

Në krye të kësaj gare është sezoni 2007/08 i portugezit me Manchester Unitedin, kur Ronaldo fitoi për herë të parë Topin e Artë dhe përjetoi një nga periudhat më të suksesshme të karrierës së tij.

Nisma quhet B.O.A.T. (Ballon d’Or Of All Time) dhe u jep mundësinë tifozëve të zgjedhin sezonin individual më të mirë mes futbollistëve që e kanë fituar të paktën dy herë këtë çmim.

Ronaldo është në garë me disa legjenda të futbollit, përfshirë Messin, Johan Cruyffin, Marco van Bastenin dhe Ronaldon brazilian.

Ronaldo përpara Messit në votimin e tifozëve

Sezoni 2007/08 i Cristiano Ronaldos po merr mbështetjen më të madhe në këtë votim, duke lënë pas sezonet e jashtëzakonshme të Lionel Messit.

Në atë edicion, portugezi shënoi 42 gola në të gjitha garat për Manchester Unitedin, fitoi Premier League-n dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa u shpall golashënuesi më i mirë në kampionatin anglez me 31 gola.

Performancat e tij i siguruan Topin e Artë të vitit 2008, të cilin e fitoi me 446 pikë, përpara Messit me 281 pikë dhe Fernando Torresit me 179 pikë.

Pavarësisht rivalitetit historik mes dy yjeve, kjo nismë nuk synon të përcaktojë përfundimisht se cili është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, por të zgjedhë sezonin më të madh individual mes fituesve të shumëfishtë të këtij çmimi.

Nuk do të ketë trofe të ri për Cristiano Ronaldon

Pavarësisht interesimit të madh të tifozëve, organizatorët kanë sqaruar se votimi B.O.A.T. është vetëm një konsultim publik dhe nuk do të sjellë ndarjen e një trofeu të ri zyrtar.

Rezultati nuk do të ndryshojë as historinë e Topit të Artë dhe as numrin e çmimeve të fituara nga futbollistët. Messi mbetet rekordmeni me tetë Topa të Artë, ndërsa Ronaldo ka fituar pesë.

Rezultatet përfundimtare të votimit B.O.A.T. janë planifikuar të shpallen më 28 tetor 2026.

Kështu, sezoni i paharrueshëm i Ronaldos me Manchester Unitedin mund të shpallet i preferuari i tifozëve, por kjo nuk përbën një tjetër Top të Artë zyrtar për yllin portugez. /Zëri