Mblidhet grupi punues për Apelin në Hagë, Çitaku: Çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është mbajtur mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Përmes një postimi, Çitaku ka theksuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive parlamentare dëshmon një vetëdije të përbashkët politike, qytetare, shtetërore dhe kombëtare për rëndësinë e kësaj çështjeje.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.

Sipas Çitakut, synimi është që shteti i Kosovës t’u ofrojë mbështetje të plotë çlirimtarëve në procesin e apelit, ndërsa paralelisht po vazhdon edhe angazhimi për hartimin e një ligji që synon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Duke iu referuar Deklaratës së Kuvendit të 28 shtatorit, Çitaku ka theksuar se mbrojtja e vlerave dhe e trashëgimisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën përgjegjësi që tejkalon dallimet partiake.

Ajo ka ritheksuar rëndësinë e bashkërendimit institucional dhe politik për kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe për sigurimin e të gjitha mjeteve dhe garancive juridike për çlirimtarët në procesin e apelit.

“Në asnjë ditë dhe në asnjë moment, çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm!”, ka përfunduar Çitaku mesazhin e saj.