Rasti i Arlinda Zekajt, Këshilli Gjyqësor lëshon raportin nga inspektimi në Gjykatën e Pejës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka lëshuar komunikatë pas inspektimit të kryer në Gjykatën Themelore Pejë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.

Raporti final thuhet se është dorëzuar në KGJK sot dhe pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka rezultuar kësisoj:

"Gjykata më datë 07.09.2026 e ka pranuar Kërkesën për Shqiptimin e Urdhrit Mbrojtës Emergjent, dhe po këtë ditë e ka regjistruar në regjistrin manual dhe atë elektronit të SMIL, konform rregullave të përcaktuara me akte normative, përkatësisht Rregulloren nr.17/2024 dhe Shtojcën 2. 

Me aktvendimin e datës 07.09.2026, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar Urdhrin për Mbrojtje Emergjente për palën e mbrojtur znj. Arlinda Zekaj-Sylaj.

Kundër këtij aktvendimi pala e mbrojtur dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kanë paraqitur kundërshtim, vetëm lidhur me piken III, të dispozitivit që ka pasur të bëjë me besimin e fëmijës dhe alimentacionin.

Gjykata, duke vendosur sipas kundërshtimit të palës së mbrojtur dhe përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimave me aktvendimin C.nr.1300/2026 të datës 16.10.2026, ka vendosur që të aprovohet kërkesa e palës mbrojtëse me saktësisht si në dispozitiv të këtij aktvendim.

Kundër këtij aktvendim nuk është paraqitur ankesë nga palët në këtë rast.

Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se, pala mbrojtëse Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për mbrojtje. Të dy këto aktvendime i janë përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutimin e tyre ashtu siç ka qenë e përcaktuar në dispozitiv të aktvendimeve të cituara.

Duhet theksuar se: me datë 26.10.2026 në ora 8.56, Gjykata ka pranuar Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë, me numër PP/II Nr. 1340/2026, kundër Jeton Sylaj (bashkëshorti i Arlinda Zekaj-Sylaj). Aktakuza në gjykatë është pranuar pas vrasjes së të ndjerës Arlinda Zekaj-Sylaj. Aktakuza është regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe atë elektronik me numër P.nr. 832/2026 dhe sipas numrit unik të SMIL 2026:208789.

Nga shkresat e lëndës rezulton se në këtë çështje palë të vetme kanë qenë, pala e mbrojtur Arlinda Zekaj-Sylaj dhe pala përgjegjëse Jeton Sylejman Sylaj (në raport familjar - bashkëshort), dhe në asnjë shkresë të lëndës nuk është përfshirë tani i dyshuari për kryerjen e veprës penale të vrasjes, Albert Sylaj.

Me datën 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar më kërkesë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ku ka shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes ka vendosur kundërligjshëm dhe pas afateve ligjore.  Kryetari i Gjykatës në Pejë, po të njëjtën ditë, me datën  17 shtator 2026 i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që ta informohet lidhur më çështjen si dhe me veprimet e ndërmarra. Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit.

Ndërsa, me datën 20 tetor 2026 Kryetari i Gjykatës me shkresën GJA.nr.197/26  i është përgjigjur znj. Arlinda Syla Zekaj duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata në lidhje me rastin."

Sipas KGJK-së, sa i përket raportimeve se Kryesuesi i KGjK-së ka pranuar kërkesë nga e ndjera Arlinda Zekaj, kjo nuk qëndron.

"Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka marr përgjigje me shkrim nga personat përgjegjës në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor se deri më datë 28 tetor 2026, nuk është pranuar asnjë kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj-Sylaj. Kjo është konstatuar duke kontrolluar evidencën nga regjistri fizik i pranimit të të gjitha shkresave të pranuara në zyrën e pranimit të Këshillit, në Sekretariat dhe në postë zyrtare elektronike të KGJK-së."