Barcelona gjobitet pas incidenteve në El Clásico, hetohet edhe rasti i Camavingas

Barcelona është ndëshkuar për hedhjen e sendeve në fushë gjatë El Clásicos kundër Real Madridit, pas golit të dytë të Kylian Mbappés në minutën e 87-të.

Sipas Mundo Deportivo, nga tribuna Gol Nord u hodhën një shishe uji dhe një kanaçe pijeje freskuese.

Asnjëri prej sendeve nuk goditi ndonjë futbollist, por arbitri u detyrua të aktivizonte protokollin përkatës dhe të ndalte përkohësisht ndeshjen.

Komiteti Disiplinor e klasifikoi rastin si shkelje të lehtë, për të cilën parashihet gjobë deri në 602 euro.

Nëse aplikohet niveli i mesëm i sanksionit, gjoba do të jetë 301 euro.

Ndërkohë, është hapur edhe një procedurë disiplinore për incidentin e dyshuar me Eduardo Camavingan, i cili pretendohet se është prekur në kokë nga shtizat e flamujve gjatë festimit të golit të Real Madridit.

LaLiga e ka raportuar rastin, i cili do të shqyrtohet veçmas. /Zëri