Nis edicioni i katërt i konferencës ndërkombëtare për administratën publike “KosovaPAR2026”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të katërt të konferencës ndërkombëtare për administratën publike “KosovaPAR2026”, organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Kurti tha se administrata publike është një nga shtyllat mbi të cilën mbështeten funksionimi i demokracisë, zhvillimi ekonomik dhe besimi i qytetarëve në shtet.
Sipas tij, për Republikën e Kosovës reforma e administratës publike, nuk është thjesht një proces teknik apo administrativ, por pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet, për ta përmirësuar qeverisjen dhe për të avancuar drejt integrimit evropian.
“Suksesi i reformave nuk matet vetëm me politikat, të cilat i miratojmë, por me ndryshimin praktik e konkret, që ato e sjellin në jetën e qytetarëve. Kjo kërkon institucione profesionale, përgjegjësi të qarta, kapacitete të qëndrueshme dhe llogaridhënie për rezultatet”, tha Kurti mes të tjerash.
Duke folur për rëndësinë e investimit në profesionalizmin e shërbimit publik, zhvillimin e kompetencave dhe krijimin e mundësive për gjeneratat e reja, Kurti tha se për Kosovën dhe vendet e rajonit, përmirësimi i administratës publike dhe përafrimi me standardet evropiane, janë të ndërlidhura ngushtë me të ardhmen tonë evropiane.
Kurti potencoi se konferenca “KosovaPAR2026” është një mundësi për të ndarë përvojat, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për t’i identifikuar zgjidhjet, të cilat japin rezultate konkrete.
Me këtë rast, Kurti inkurajoi pjesëmarrësit që diskutimet të orientohen jo vetëm drejt sfidave të sotme, por edhe drejt administratës, të cilën dëshirojmë ta ndërtojmë për të ardhmen. /Zëri