Barcelona ankohet për gjobën prej 602 eurosh për “rastin” Alvarez

Barcelona nuk pranon gjobën prej 602 eurosh të shqiptuar nga Federata spanjolle e Futbollit, pas ankesës së Atletico Madridit për kontaktet e pretenduara me Julian Alvarezin gjatë verës.

Atletico e akuzoi klubin katalunas se kishte negociuar me sulmuesin argjentinas pa e njoftuar paraprakisht me shkrim, ndonëse ai është nën kontratë me klubin madrilen deri në vitin 2030.

Federata spanjolle e cilësoi rastin si shkelje të lehtë dhe shqiptoi gjobën maksimale prej 602 eurosh për këtë kategori shkeljeje. FIFA, ndërkohë, nuk e mori në shqyrtim çështjen, duke vlerësuar se nuk kishte juridiksion.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Barcelona beson se nuk ka shkelur rregullat dhe dëshiron ta anulojë vendimin përmes ankesës.

Ndërkohë, Alvarezi ka kërkuar falje për deklaratat që zemëruan tifozët e Atletico Madridit, pasi kishte shprehur dëshirën për të luajtur te Barcelona.

“Ishte gabim. E kuptoj pse tifozët janë të zemëruar. Edhe unë do të zemërohesha po të isha në vendin e tyre”, deklaroi sulmuesi argjentinas. /Zëri