Qeveria e Kosovës miratoi katër projektligje për bashkëpunim juridik me Suedinë dhe Belgjikën

Qeveria e Kosovës ka miratuar katër projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me Mbretërinë e Suedisë dhe Mbretërinë e Belgjikës, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit juridik në çështjet penale.

Projektligjet, të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.

Tri prej projektligjeve lidhen me marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, ndërsa i katërti ka të bëjë me Traktatin për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se marrëveshja krijon bazë ligjore për shkëmbimin e provave, realizimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e kërkesave për ndihmë juridike mes dy vendeve.

“Synon të krijojë një bazë të qartë dhe të gjerë ligjore për bashkëpunim mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë në shkëmbim të provave, realizimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e kërkesave për ndihmë juridike në çështjet penale. Kjo marrëveshje përcakton format, kushtet e ofrimit të ndihmës së ndërsjellë juridike në çështje penale, përfshirë rastet në të cilat ndihma mund të refuzohet, legjislacioni i zbatueshëm gjatë ofrimit të saj, si dhe rregullat procedurale që duhet të ndiqen gjatë paraqitjes dhe ekzekutimit të kërkesave për ndihmë juridike. Ratifikimi i kësaj marrëveshje e forcon kapacitetin e Republikës sonë për të bashkëpunuar me autoritetet e Suedisë në hetimin dhe trajtimin e veprave penale, duke lehtësuar sigurimin e provave dhe zhvillimin e procedurave penale përtej kufijve shtetërorë”, tha ajo.

Projektligjet e miratuara janë:

* Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ekstradim (MD).

* Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale (MD).

* Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Transferimin e Personave të Dënuar (MD).

* Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike Çështje Penale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës (MD).