Rasti i Arlindës, Koci: Dështoi e gjithë hallka institucionale – dorasi do arrestohet së shpejti

Avokati Arianit Koci ka folur lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar reagimin e institucioneve dhe masat që ishin ndërmarrë për parandalimin e rastit.

Në KlanKosova, Koci u shpreh se vrasja e grave nga bashkëshortët apo partnerët e tyre është një problem serioz që kërkon trajtim të veçantë dhe reagim më efektiv institucional.

“Me të vërtetë shumë prekëse. Ju po e shihni që tash është mbushur kupa. Kjo është gruaja e tetë këtë vit që vdes”, deklaroi Koci.

Ai theksoi se, ndonëse gjatë këtij viti kanë humbur jetën edhe burra, vrasjet e grave nga burrat paraqesin një problem të veçantë të dhunës me bazë gjinore.

Sipas tij, në rastin e Arlinda Zekajt nuk ka dështuar vetëm një individ, por e gjithë hallka institucionale, duke përmendur Qendrat për Punë Sociale, hetuesinë, Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën.

“Këtu nuk ka dështuar një njeri, por komplet hallka. Prej QPS-së, hetuesit, Policia, Prokuroria e Gjykata”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.

Koci kritikoi edhe një vendim gjyqësor lidhur me kufizimin e distancës së afrimit, të cilin e cilësoi si të çuditshëm. Ai shtoi se, ndonëse institucionet kishin ndërmarrë disa veprime, ato nuk kishin qenë të mjaftueshme për të parandaluar vrasjen.

“Gjykata ka marrë një vendim që për mua ka qenë shumë i çuditshëm mos me mujtë me iu afru në 2 metra. Organet kanë vepruar por nuk mjafton formalisht me kry një veprim, përshembull në ndalim dhe paraburgim vëllain e dorasit, por nuk ka qenë e mjaftueshëm për me parandalu vrasjen. Një informatë që më erdh sot është që besoj që shumë shpejt do të bie në duar të drejtësisë krimineli. Besoj që shpejt do të arrestohet”.

Ndër të tjera, avokati bëri të ditur se ka marrë informacione sipas të cilave i dyshuari për vrasjen mund të arrestohet së shpejti.

“Besoj që shumë shpejt do të bjerë në duart e drejtësisë krimineli. Besoj që shpejt do të arrestohet”, deklaroi Koci.