Punëtori vdes në vendin e punës në Istog, përgjegjësi dërgohet në mbajtje për 48 orë

Një person ka humbur jetën sot në vendin e punës në Istog.

Mësohet se i ndjeri është nga fshati Kopiliq i Skenderajt.

Viktima dyshohet se është zënë nga ashensori, gjersa po punonte në fshatin Dubravë të Istogut.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës Driton Rugova tha për Zeri.info se rasti ka ndodhur sot, rreth orës 08:40.

“Policia është njoftuar për një rast në fshatin Dubravë, në komunën e Istogut, ku një person është lënduar në një objekt. Njësitë përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e këtij rasti”, tha Rugova.

Sipas tij, viktima është dërguar në QKMF - Istog, aty nga ekipi mjekësor është konstatuar se kishte arritur pa shenja jete.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse’ dhe ‘Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’. Policia ka intervistuar përgjegjësin e punëtorëve dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Rugova. /Zëri