82% e kosovarëve morën leje qëndrimi në Zvicër gjatë vitit 2025 përmes bashkimit familjar

Ribashkimi familjar ishte arsyeja kryesore e emigrimit të shtetasve të Kosovës drejt Zvicrës gjatë vitit 2025.

Sipas statistikave zyrtare të migracionit të Zvicrës, 81,9 për qind e kosovarëve që u vendosën për një kohë të gjatë në këtë shtet, e fituan lejen e qëndrimit përmes bashkimit familjar.

Të dhënat tregojnë se 1 mijë e 538 shtetas të Kosovës emigruan në Zvicër për t'u bashkuar me familjarët e tyre, ndërsa 339 persona të tjerë hynë në kuadër të kategorive të ndryshme të pranimit, sipas të dhënave mbi emigracionin në Zvicër.

Punësimi mbetet rrugë e kufizuar për kosovarët

Rreth 7 për qind e rasteve të emigrimit nga Kosova lidhen me punësimin. Si shtetas të një vendi jashtë Bashkimit Evropian dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, kosovarët u nënshtrohen rregullave kufizuese të tregut zviceran të punës, përfshirë kuotat dhe kriteret për kualifikimet profesionale.

Për vitin 2025, Zvicra kishte vënë në dispozicion gjithsej 4 mijë e 500 leje qëndrimi të tipit B dhe 4 mijë leje afatshkurtra të tipit L për punëtorët nga vendet e treta, sipas informacionit zyrtar të autoriteteve zvicerane për kuotat e migracionit.

Këto kufizime bëjnë që mundësitë për t'u vendosur në Zvicër përmes punësimit të jenë më të kufizuara, veçanërisht për personat që nuk plotësojnë kriteret e kërkuara profesionale, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, rreth 5 për qind e rasteve lidhen me arsimin dhe trajnimin, ku përfshihen studentët dhe personat që ndjekin programe të caktuara shkollore ose universitare.

Pjesa tjetër përfshin kategori të ndryshme të pranimit, përfshirë raste humanitare dhe qëndrime të bazuara në rrethana të veçanta. Këto kategori pasqyrohen në statistikat e Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM).

Bashkimi familjar, një nga arsyet kryesore të emigrimit në Zvicër

Në nivel të përgjithshëm, gjatë vitit 2025, rreth 42 mijë e 170 persona u vendosën në Zvicër përmes bashkimit familjar. Kjo përbënte 25.5 për qind të imigracionit në popullsinë e përhershme të huaj rezidente, sipas statistikave të migracionit për vitin 2025.

Prej tyre, rreth 15,4 për qind, ose afërsisht 6 mijë e 500 persona, u bashkuan me familjarë që kanë shtetësi zvicerane.

Krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 42 mijë e 433 raste të bashkimit familjar, numri shënoi një rënie të lehtë.

Të dhënat nxjerrin në pah dallimin mes shtetasve të Kosovës dhe grupit të përgjithshëm të emigrantëve në Zvicër: ndërsa bashkimi familjar përbënte 25.5 për qind të rasteve në nivel të përgjithshëm, te kosovarët kjo përqindje arrinte në 81,9 për qind.