Policia parandalon tentimin e një 17-vjeçareje për t’u hedhur nga nënkalimi në Ferizaj

Policët e stacionit policor në Ferizaj kanë parandaluar një veprim të rrezikshëm të një personi të gjinisë femërore, e moshës 17-vjeçare, e cila dyshohet se po tentonte të hidhej nga nënkalimi në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, për t’i bërë keq vetes.

Sipas njoftimit të PK-së, rasti është raportuar sot, rreth orës 10:15, ndërsa zyrtarët policorë, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, kanë arritur ta parandalojnë veprimin dhe ta largojnë personin nga rreziku.

“Personi është shoqëruar nga policia në Emergjencën e Ferizajt për të marrë ndihmë mjekësore. Lidhur me rastin janë njoftuar Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e mëtejshme hetimore, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia vlerëson rëndësinë e reagimit me kohë dhe bashkëpunimit për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. /Zëri