Mourinho e mposhti Flickun me taktikë, zbulohen detajet e fitores së Real Madridit

Jose Mourinho dëshmoi zgjuarsinë e tij taktike në “El Clasico”, ku Real Madrid mposhti Barcelonën me rezultat 2-1, duke shfrytëzuar dobësitë e skuadrës së Hansi Flickut.

Sipas Goal.com, çelësi i suksesit ishte mënyra sesi madrilenët e përballuan presingun e lartë të Barcelonës. Duke e kaluar vijën e parë të presionit, ata gjetën hapësira për të rrezikuar portën kundërshtare.

Mourinho përdori edhe mbulimin individual për të kufizuar ndikimin e lojtarëve kryesorë të Barcelonës. Veçanërisht i rëndësishëm ishte dueli mes Marc Cucurellas dhe Lamine Yamalit, ku mbrojtësi arriti t'ia vështirësonte lojën talentit katalonjas.

Vendimtar ishte edhe inkuadrimi i Eduardo Camavingas. Mesfushori francez shfrytëzoi hapësirat e lëna nga mbrojtja e Barcelonës dhe asistoi për Kylian Mbappen, i cili shënoi golin që vulosi fitoren.

Në fund, Real Madridi u shpërblye për organizimin taktik dhe efikasitetin, ndërsa Barcelona u largua nga “El Clasico” me shumë probleme për t'i analizuar.

Me këtë fitore, madrilenët e ngushtuan në tri pikë diferencën me Barcelonën në tabelën e La Ligës. /Zëri