Peci thotë se kanë pushuar hetimet ndaj tij për grantet: Zyrtarët e LDK-së do të përballen me kallëzim penal

Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj tij, në rastin për dyshime për dallavere me grante bujqësore.

Peci këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook ku ka publikuar edhe dokumentin.

Kallëzimi penal ndaj Pecit ishte dorëzuar nga zyrtarë të LDK-së, ndaj të cilëve tashmë kryetari i Mitrovicës ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal  siç ka thënë ai për deklarim të rrejshëm.

“Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat e sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme. Zyrtarët e LDK-së që e ngritën këtë kallëzim penal, por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballem me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm. Ndërsa ju, qytetarëve të shumtë nga gjithë Kosova e mërgata, fort ju falënderoj që keni besuar në mua, përkundër luftës speciale kundër meje. Ju siguroj se asgjë nuk mund ta njollosë punën time të ndershme si Ministër, në shërbim tuajin, në shërbim të Kosovës”, ka shkruar ai.