Rasti i Arlinda Zekajt, refuzohet kërkesa që drejtori i Policisë të raportojë javën e ardhshme
Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes ka refuzuar kërkesën e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, që drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, të ftohet për javën e ardhshme për raportim lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Në kërkesën e saj, Musliu tha se drejtori Hoxha duhet të qartësojë situatën, pasi sipas saj, Zekaj pak orë para vrasjes ishte kthyer në shtëpi nga Policia, ku denoncoi ish-bashkëshortin për kanosje.
“U ngritën shumë dilema, konsideroj që si komision duhet ta ftojmë Policinë, t’i dëgjojmë çka kanë me na thënë lidhur me rastin. Nëse del se nga ana policisë ka shkuar gjithçka në rregull duhet t’i heqim dilemat. Shumë e domosdoshme është që të zbardhet rasti. Konsideroj si komision na takon me dëgju rrëfimin nga policia e Kosovës”, ka thënë ajo.
Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Hoxha do të raportojë në Kuvend pas katër javësh, për çështjet që tashmë janë ngritur nga deputetët, duke shtuar se tashmë është krijuar një komision hetimor për këtë rast, i cili do të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale.
“Do të ketë komision hetimor dhe ai komision do të kryejë punën e vet. Ai komision do të zbardhë të vërtetën se cili institucion e ka neglizhuar punën nëse ka pasur në rastin e të ndjerës”, ka thënë ai. /eo