GLPS-ja kërkon adresimin e mangësive para votimit të Projektligjit për Byronë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur sot konferencën për media në të cilën janë shpalosur qëndrimet lidhur me procedurën parlamentare dhe përmbajtjen e Projektligjit për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili pritet të votohet të enjten në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës.

Përfaqësuesit e GLPS-së theksuan se Projektligji aktual nuk adresoi gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe komentet e shoqërisë civile, duke lënë mundësinë që Byroja të bëhet mjet politik dhe të cenojë sigurinë juridike të qytetarëve.

Në raport me procedurën mes dy leximeve, GLPS shpreh shqetësimin se Grupi Punues nuk arriti që të shqyrtojë në detaje përmbajtjen e Projektligjit, amandamentet e propozuara, rekomandimet dhe analizat ligjore të organizatave të shoqërisë.

Për më tepër, mbajtja e takimeve të grupit punues në të njëjtin orar me grupe të tjera punuese në projektligjet e reformës në drejtësi dhe brenda një kohe të shkurtër, pamundësojë kontributin e anëtarëve në shqyrtimin e përmbajtjes së Projektligjit, duke kaluar këtë procedurë si formalitet.

Kurse, sa i përket përmbajtjes, GLPS vlerëson se Projektligji përmban të njëjtat dispozita për të cilat Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin KO46/23 në vitin 2023 e kishte shfuqizuar në tërësi versionin fillestar të këtij Projektligji, ndër to:Pavarësisht që Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar faktin se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve nuk mund të bëhet për një periudhë më të gjatë se 10 vite, për shkak të pamundësisë objektive të sigurimit të provave, Projektligji aktual vazhdon të përmbajë dispozitën që kësaj procedure do t’i nënshtrohet çdo pasuri dhe çdo person zyrtar kurdo nga data 17 shkurt 2008.

Projektligji aktual nuk ka arritur të sigurojë pavarësinë funksionale të Byrosë, duke rrezikuar që e njëjta të shërbejë më shumë si mjet politik sesa si mekanizëm për konfiskim civil.

Është shqetësues fakti se dispozitat aktuale përcaktojnë një shumicë të thjeshtë për emërimin e Drejtorit dhe tre anëtarëve të Byrosë, dhe se kandidatët për këto pozita duhet të plotësojnë një prag minimal prej vetëm 5 vjetësh përvojë pune.

Projektligji aktual nuk garanton sigurinë juridike të subjekteve që potencialisht mund të jenë subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, duke lënë mundësinë që Byroja në çdo fazë të tërhiqet nga propozimi për konfiskim si dhe duke mos specifikuar në mënyrë të qartë se a do të mund të iniciohet procedurë penale nëse me provat e mbledhura në procedurën e konfiskimit ka indicie që e njëjta është fituar përmes veprës penale.

Dispozitat aktuale nuk sigurojnë barazi të palëve në procedurën e konfiskimit civil, përkatësisht ato përcaktojnë që subjekti të merret në pyetje nga gjykata, zyrtari i Byrosë dhe pala e tretë në seancë lidhur me pasurinë që është objekt shqyrtimi.

Pra, ndonëse fryma e zbatimit të procedurës së konfiskimit civil është tërësisht kontestimore, këto dispozita përcaktojnë elementet që e vënë në pikëpyetje zhvillimin e një procedure të paanshme.

Marrë parasysh rëndësinë e krijimit të Byrosë dhe konstatimet e mësipërme mbi dispozitat e Projektligjit, GLPS kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të mos procedohet me votimin në lexim të dytë pa u adresuar çështjet që determinojnë zbatim efikas, siguri juridike dhe pavarësi të plotë të mekanizmit për konfiskim civil të pasurisë së pajustifikueshme.