La Liga merr masa urgjente pas sulmit ndaj Camavingas në El Clasico

La Liga do ta denoncojë në Komitetin Disiplinor incidentin ndaj Eduardo Camavingas, i cili u godit me shtiza flamujsh nga disa tifozë të Barcelonës gjatë festimit të golit të dytë të Real Madridit në El Clasico.

Sipas mediave spanjolle, ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, në stadiumin “Camp Nou”, pas golit të Kylian Mbappes, që vulosi fitoren 2-1 të madrilenëve.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë disa tifozë duke tentuar ta godasin mesfushorin francez me shtizat e flamujve.

Disa prej tyre e prekën lojtarin, i cili ngriti duart për të mbrojtur fytyrën.

Shokët e skuadrës ndërhynë menjëherë për ta larguar Camavingan nga tribuna dhe për t’i kërkuar tifozëve të ndalonin veprimet e tyre.

La Liga ka konfirmuar se do të ndërmarrë masa pas shqyrtimit të pamjeve, ndërsa Komiteti Disiplinor do të vendosë për ndëshkimet e mundshme.

Organizata e futbollit spanjoll ritheksoi angazhimin e saj për të luftuar çdo formë dhune dhe intolerance në futbollin spanjoll. /Zëri