Haxhiu: Para vitit 2021 nuk u ndërmorën veprime për adresimin e femicidit dhe krimeve të luftës

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se para vitit 2021 nuk janë ndërmarrë veprime institucionale për adresimin e femicidit dhe krimeve të luftës, duke thënë se gjatë kohës sa ishte ministre e Drejtësisë është përballur me mungesë të vazhdimësisë institucionale në këto fusha.

Duke folur në seancën ku po diskutohet vrasja e Arlinda Zekajt, Haxhiu tha se angazhimi për trajtimin e dhunës ndaj grave lidhet me përgjegjësinë e institucioneve, ndërsa theksoi se gjatë mandatit të saj si ministre kishte kërkuar që ministri i Drejtësisë të ishte koordinator nacional për adresimin e dhunës në familje.

“Sepse të flasësh pikërisht për shkak të përgjegjësisë që ndjejmë si institucione në raport me vrasjen e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Më besoni apo jo, por 2 prej çështjeve për të cilat asnjëherë nuk janë ndërmarrë veprime, nga institucionet para 2021-s, është pikërisht rasti i femicidit, për adresimin e femicidit, dhunës në familje, pra vrasjen e grave, por edhe raste të krimeve të luftës. Pra, unë si ministre në atë kohë, jam ballafaquar me sfida të mëdha, sepse nuk kam gjetur as zyrë, as dokument, as vazhdimësi institucionale ku është dashur të bazohet edhe vetëm me vazhduar ndërmarrjen e veprimeve. Dhe pikërisht për këtë arsye, unë kam kërkuar nga Komisioni atëherë për të Drejtat e Njeriut që koordinatori nacional për adresimin e dhunës në familje të jetë pikërisht ministri i Drejtësisë, jo zëvendësministri. Është pikërisht ministri i Drejtësisë për të ngritur përgjegjësinë institucionale në raport me rastet e vajzave dhe grave, që po dhunohen në shtëpitë e tyre, në rrugë, në shkollë, kudo”, tha ajo.

Haxhiu tha se gjatë kohës sa ishte ministre kishte hasur edhe në qëndrime se dhuna në familje duhej të mbetej çështje private, por theksoi se kjo nuk e kishte ndalur angazhimin e saj institucional.

“Ka pasur shumë raste kur më kanë thënë: “Çka po merresh me dhunën në familje? Është çështje që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë, nuk është punë e jotja.” Përkundër këtyre deklarimeve, nuk janë ndalur për asnjë moment. Gjatë mandatit tim si ministre e Drejtësisë, për adresim të përgjegjësive që kemi pasur si institucione të Republikës së Kosovës, në raport me këto raste. Është e vërtetë që ligji është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Konventa e Stambollit po ashtu, dhe ne jemi munduar që strategjinë që zoti Ramadani e përmendi t’ia përshtasim kërkesave që ka Konventa e Stambollit”, tha Haxhiu.