Humbja në El Clasico rihap plagën te Barcelona, Deco nën kritika
Humbja nga Real Madridi ka rikthyer në qendër të vëmendjes problemet e Barcelonës në repartin defensiv.
Vendimet e merkatos verore po vihen në pikëpyetje, ndërsa Hansi Flick rrezikon të paguajë çmimin për mungesën e alternativave në mbrojtje.
Disfata 1-2 në El Clasico ka nxjerrë sërish në pah dobësitë e skuadrës katalanase, veçanërisht në organizimin e repartit të fundit.
Sipas Goal, Barcelona nuk e përforcoi siç duhej mbrojtjen gjatë afatit kalimtar të verës, duke e lënë trajnerin gjerman me alternativa të kufizuara.
Largimet e Ronald Araujos dhe Alvaro Cortesit, pa zëvendësime të mjaftueshme, kanë ngritur pikëpyetje për planifikimin e skuadrës.
Problemi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh stili i lojës së Flickut, i cili mbështetet te një vijë e lartë defensive dhe kërkon mbrojtës me shpejtësi, përqendrim dhe aftësi për të mbuluar hapësirat.
Pau Cubarsí, pavarësisht moshës së re, mban përgjegjësi të mëdha në qendër të mbrojtjes, ndërsa Gerard Martín është një tjetër alternativë në dispozicion të trajnerit.
Megjithatë, një grup i kufizuar lojtarësh mund të bëhet problem serioz në rast lëndimesh apo pezullimesh.
Deco duhet ta korrigjojë gabimin në janar
Drejtori sportiv, Deco, po kritikohet për faktin se nuk e përforcoi mbrojtjen para fillimit të sezonit.
Në mesin e emrave që ishin përmendur në merkato figuronin Alessandro Bastoni, Castello Lukeba, Nico Schlotterbeck dhe Cristian Romero, por asnjëri nuk përfundoi te Barcelona.
Tani, afati kalimtar i janarit shihet si mundësi për të korrigjuar gabimet e verës dhe për t’i dhënë Flickut më shumë alternativa.
Barcelona vazhdon ta ketë akademinë një pjesë të rëndësishme të projektit të saj, por talentet e reja nuk mund ta zëvendësojnë gjithmonë nevojën për futbollistë me përvojë.
Pas humbjeve ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit, presioni mbi Flickun është shtuar.
Megjithatë, përgjegjësia nuk mund t’i ngarkohet vetëm trajnerit, pasi vendimet e merkatos dhe ndërtimi i skuadrës janë gjithashtu pjesë e problemit. /Zëri