IKD-ja kërkon hetim të plotë për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar hetim të plotë, të pavarur dhe efektiv për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, si dhe për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që e kishin trajtuar rastin.

IKD-ja vlerëson se informacionet e bëra publike, sipas të cilave viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe ishte trajtuar nga Policia si viktimë e dhunës në familje pak para vrasjes, ngrenë dyshime serioze për dështime të mundshme në mbrojtjen e jetës së saj.

Organizata kërkon që të hetohen veprimet e Policisë, Prokurorisë, Gjykatës, Qendrës për Punë Sociale dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës, ndërsa për çdo shkelje të konstatuar të ndërmerren masa konkrete penale, disiplinore dhe administrative.

IKD-ja u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se pritja e këtij procesi nuk duhet të pengojë llogaridhënien për rastet konkrete.

Po ashtu, ka kërkuar masa më efektive për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje dhe nga Ministria e Drejtësisë një shqyrtim të legjislacionit penal për vrasjet e grave, përfshirë mundësinë e njohjes së shprehur të femicidit.

IKD-ja ka shprehur gatishmërinë që familjes të së ndjerës t’i ofrojë këshillim dhe përfaqësim juridik falas për të shqyrtuar mundësinë e kërkimit të përgjegjësisë së shtetit për cenimin e mundshëm të së drejtës për jetë.