Mbappe emërtohet “lider natyral”, pas shkëlqimit ndaj Barçës në “El Clasico”
Kylian Mbappe ishte protagonisti kryesor i fitores së Real Madridit ndaj Barcelonës në “Camp Nou”. Sulmuesi francez realizoi dy herë, duke i dhënë skuadrës madrilene tri pikë të rëndësishme dhe duke marrë vlerësime nga Jorge Valdano.
Ish-futbollisti dhe trajneri i Real Madridit foli për ndikimin e Mbappes në emisionin “La Casa del Futbol” të Movistar Plus Deportes, duke theksuar se liderët mund të dallohen në mënyra të ndryshme.
“Ka liderë teknikë, liderë emocionalë, liderë socialë… Secili ka mënyrën e vet për të udhëhequr. Një futbollist që shënon me ritmin e një goli për ndeshje, si mund të mos jetë lider?”, u shpreh Valdano.
“Ai udhëheq edhe pa dashur”
Argjentinasi theksoi se ndikimi i një futbollisti nuk matet vetëm me shiritin e kapitenit apo me mënyrën se si komunikon në dhomat e zhveshjes. Sipas tij, golat dhe aftësia për të vendosur ndeshjet e bëjnë Mbappen një pikë referimi për shokët e skuadrës.
“Të udhëheqësh do të thotë të kesh ndikim, ndërsa ai që shënon gola ka më shumë ndikim se kushdo tjetër”, deklaroi Valdano.
Ai shtoi se Mbappe është një person shumë inteligjent dhe se ndikimi i tij te bashkëlojtarët është i natyrshëm.
“Është shumë inteligjent dhe udhëheq edhe pa dashur, sepse çdo gjë që i shkon në mendje tërheq vëmendjen e shokëve të skuadrës”, përfundoi Valdano.
Shifrat që e dëshmojnë ndikimin e francezit
Paraqitja ndaj Barcelonës e përforcoi edhe më shumë rëndësinë e Mbappes për Real Madridin.
Sipas Goal.com, francezi kishte regjistruar 14 gola dhe tri asistime në 13 paraqitje në të gjitha garat në këtë sezon.
Me dy golat në “El Clasico”, ai dëshmoi edhe një herë se mund të vendosë ndeshjet më të rëndësishme dhe të jetë figura kryesore e skuadrës madrilene. /Zëri