Tetë grave iu mor jeta në Kosovë për 10 muaj – ku ishte shteti?

Kosova vazhdon të numërojë humbjet e grave, derisa vrasjet e tyre kanë rritur alarmin për shoqërinë dhe institucionet.

Pavarësisht deklarimeve të krerëve institucionalë, disa prej këtyre rasteve kanë nxitur reagime të shumta, pikërisht për shkak se kanë shpërfaqur mungesën e veprimeve dhe ofrimin e mbrojtjes së grave.

Me rastin e fundit të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka çuar në tetë numrin e grave që janë vrarë vetëm gjatë këtij viti në Kosovë.

Njëra ishte nënë rreth 60-vjeçare, tjetra vetëm 25 vjeçe dhe shtatzënë, e një tjetër veçse kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.

Janar - Restelicë, Dragash

Viti nisi me një rast të rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një grua rreth 60-vjeçare u gjet e vdekur. Sipas informatave fillestare të Policisë, dyshohej se ajo ishte privuar nga jeta nga djali i saj, rreth 30-vjeçar.

Në njoftimin e Policisë ishte bërë e ditur se i dyshuari ishte arrestuar dhe ndaluar për procedura të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet kishin nisur për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Mars - Majac, Podujevë

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Majac të Podujevës, ku humbën jetën dy gra dhe një burrë u vra me armë zjarri. Siç kishte bërë të ditur Policia, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar Ilaz Brahimin, 45-vjeçar, i cili vdiq në vendin e ngjarjes. Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin.

Miradije Gashi humbi jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e plagëve të marra. Edhe e dyshuara vdiq në spital, pasi ishte vetëplagosur.

Gusht - Malishevë

Mbrëmjen e 23 gushtit, Jetlira Foniqi Bytyqi, 25-vjeçare dhe shtatzënë, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Ajo dyshohej se ishte qëlluar nga bashkëshorti i saj, Egzon Foniqi, 26-vjeçar, i cili po ashtu kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit. Jetlira nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Edhe bashkëshorti i saj ndërroi jetë më vonë, pas trajtimit mjekësor.

Gusht - Prizren

Një tjetër grua humbi jetën në rrethana të rënda në Prizren.

E moshuara, 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81-vjeçar. I dyshuari ishte arrestuar, ndërsa sipas informatave të bëra publike, viktima kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse.

Shtator - Poterq i Epërm, Klinë

Një ngjarje tjetër e rëndë kishte ndodhur në Poterq të Epërm të Klinës, ku një grua e moshuar, Zoje Zeneli, 81-vjeçare, ishte sulmuar në rrethana të rënda familjare.

Ajo ishte lënduar rëndë dhe ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas afro një muaji trajtimi, më 6 tetor, ajo vdiq në QKUK. Për rastin dyshohej djali i saj, ndërsa hetimet, sipas Policisë, kanë vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Tetor - Livoç i Ulët, Gjilan

Më 9 tetor, të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët të Gjilanit u morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit, ndërsa për rastin dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili më pas ishte dorëzuar në Polici pas ngjarjes.

Tetor - Vitomiricë, Pejë

Rasti më i fundit është ai i Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës.Për vrasjen e saj dyshohet kunati, i cili, sipas informatave të Policisë, ndodhej në arrati.

Rasti është veçanërisht shqetësues për shkak të asaj që kishte ndodhur vetëm pak ditë para vdekjes së saj.

Më 22 tetor, Arlinda i ishte drejtuar me një parashtresë urgjente kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje dhe duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e saj.

Në letrën e saj, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej, duke shkruar: “Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Vdekja e saj nxiti reagime të shumta dhe thirrje për zbardhjen e plotë të rastit, duke përfshirë edhe trajtimin e kërkesave që ajo kishte drejtuar te institucionet. /klankosova