Të rinj protestues në ditën e 13-të të protestës, djegin karriget e dialogut para Kryeministrisë
Studentë dhe protestues u grumbulluan pasditen e sotme në ditën e 13-të të protestës përpara Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit në Tiranë.
Studentë, të rinj dhe qytetarë me flamuj kombëtarë dhe pankarta ku kërkohen ndryshime të kastës politike, u rimblodhën në protestë pas tubimit të djeshëm që u shoqërua me tensione dhe përplasje të dhunshme në Tiranë.
Të rinjtë thërrasin kundër policisë të cilën e akuzojnë për dhunë disproporcionale ndaj tyre.
Fillimisht, protesta nisi e qetë ndërsa forcat e rendit kishin krijuar një perimetër sigurie rreth zonës dhe ndodhen në gatishmëri të lartë për të garantuar sigurinë.
Gjithashtu, pranë institucionit janë pozicionuar edhe autobotët e ujit të policisë.
Disa të rinj të maskuar nisën të godasin me gurë drejt Ministrisë së Arsimit, por kanë ndaluar shpejt.
Pas kësaj, të rinjtë nisën marshimin drejt kryqëzimit me sheshin “Skënderbej” e më pas drejt bulevardit për t’iu drejtuar Kryeministrisë.
Sapo kanë arritur para Kryeministrisë, protestuesit kanë grumbulluar dhe djegur karriget e vendosura nga kryeministri Rama si ftesë për dialog.
Prej dy javësh, vala e protestave e nisur fillimisht para godinës së Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes forcave të rendit dhe protestuesve, duke shënuar dhjetëra të lënduar si në radhët e Policisë, ashtu edhe të protestuesve.
Fokus i akteve të dhunshme të protestuesve, përveç institucioneve shtetërore kanë qenë edhe biznese të vogla e të mesme që cilat janë djegur e dëmtuar.
Të rinjtë dhe studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kanë refuzuar çdo ftesë për dialog nga ana e Kryeministrit.
Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë prezantoi sot paketën e re ligjore që parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme./atsh