Komuna e Prishtinës synon afro 2 milionë euro subvencione për bujqit vitin e ardhshëm

Komuna e Prishtinës synon të ndajë afro 2 milionë euro për subvencionimin e bujqve gjatë vitit 2027. Mjetet do të shërbejnë për ndërtimin e serave, blerjen e mekanizmave bujqësorë, tregjet mobile dhe mbështetjen e fermerëve në forma të ndryshme.

Kështu ka thënë në një bisedë për Ekonomia Online, Jeta Rafuna, drejtoreshë e Bujqësisë në kryeqytet.

“Komuna e Prishtinës ka ndarë subvencione prej 1 milion e 200 mijë eurosh në vitin 2026, natyrisht me përkrahjen e kryetarit Rama. Tani, në vitin 2027, është rritur shuma e subvencioneve, ku do t’i afrohemi vlerës prej 2 milionë eurosh. Subvencionet përfshijnë serat, mekanizmat, tregjet mobile dhe përkrahjen e fermerëve në forma të ndryshme, pa i përjashtuar edhe investimet kapitale të mëdha që e presin kryeqytetin në kuadër të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Mbështetja për fermerët e Prishtinës është mbështetje për shëndetin tonë, për ekonominë familjare dhe për ekonominë e kryeqytetit. Çdo ditë e më shumë do të jemi pranë fermerëve dhe tokave tona, për t’i subvencionuar, zhvilluar dhe për të ecur krahas vendeve të tjera të Evropës”, tha Rafuna.

Se komuna po ndan mjete për mbështetjen e fermerëve e konfirmon edhe fermerja Xhemile Krasniqi, e cila tha për EO se është përfituese e subvencionit për bletari.

Ajo e vlerësoi mbështetjen nga komuna, por theksoi se nevojiten edhe grante dhe programe për bizneset e reja (start-up) në sektorin e bujqësisë.

“Mbështetje nga shteti kemi. Jam bletare dhe e kam subvencionin për bletët, por tash edhe komuna ka dalë në krah për të na mbështetur me subvencione, kështu që është një mundësi e mirë. Ajroterapia vjen nga kosheret e bletëve, domethënë ndikon drejtpërdrejt te njeriu. Jetoj në fshatin Mazgit dhe merrem me prodhimin e mjaltit. Jo, nuk janë të mjaftueshme. Duhet të ketë edhe grante apo programe start-up, mirëpo, fatkeqësisht, për momentin nuk kemi. Megjithatë, shpresojmë që në të ardhmen të kemi më shumë përkrahje”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, fermerja tjetër, Mihane Avdullahu, e cila merret me përpunimin e produkteve tradicionale që nga viti 2013, tha se nuk ka përfituar asnjë subvencion nga Ministria e Bujqësisë.

Ajo potencoi se mbështetje ka marrë nga shoqata të ndryshme, ndërsa produktet i përgatit nga lëndët e para që kultivon në kopshtin e saj.

“Jo, nuk jam përfituese nga Ministria e Bujqësisë. Nga shoqatat e tjera po, por nga ministria jo. Mbështetje kemi nga shoqatat, por ne punojmë dhe i fitojmë vetë të ardhurat. Që nga viti 2013 merrem me këtë punë. Për momentin kam ajvar, pinxhur, turshi, ushqime tradicionale dhe melmesa. Të gjitha i kam bërë me produktet e mia, të cilat i kam kultivuar në bahçen time. I shes nga 25 euro dhe jam shumë e kënaqur me punën time. Punoj vetë dhe vetë i fitoj të ardhurat”, theksoi Avdullahu.