Pas polemikave për bërrylin e Gülerit, La Liga përgatit një risi të paprecedentë për El Clásicon

La Liga po përgatit një transmetim televiziv të jashtëzakonshëm për përballjen mes Barcelonës dhe Real Madridit, që zhvillohet të dielën në “Camp Nou”.

Pas polemikave të fundit për gjykimin dhe incidentit të Arda Gülerit ndaj futbollistit të Sevillas, Peque Fernández, organizatorët synojnë të ofrojnë mbulim shumë më të detajuar të El Clásicos.

Sipas gazetës spanjolle “Sport”, ndeshja mund të transmetohet me deri në 38 kamera, me mundësinë e aktivizimit edhe të një kamere të 39-të.

Ky është një numër dukshëm më i madh se 25-26 kamerat që përdoren zakonisht në ndeshjet e Barcelonës dhe Real Madridit.

Më shumë kamera për ta kapur çdo detaj

Kamerat do të vendosen në pika të ndryshme të stadiumit, përfshirë vijën e portës, zonat pranë bankinave dhe tunelet nga ku dalin futbollistët.

Gjithashtu, do të përdoren kamera me shpejtësi të lartë, për të ofruar përsëritje nga kënde të ndryshme.

Polemikat e fundit pas ndeshjes Real Madrid-Sevilla kanë shtuar vëmendjen ndaj cilësisë së pamjeve televizive.

Në atë takim, incidenti mes Gülerit dhe Peques shkaktoi reagime të shumta, pasi pamjet e transmetuara nuk ofruan një kënd të qartë për të vlerësuar kontaktin dhe për të sqaruar nëse duhej të kishte ndëshkim me karton të kuq.

Përveç numrit të madh të kamerave, në El Clásico pritet të përdoret edhe topi i lidhur me teknologji, i cili transmeton të dhëna shtesë gjatë lojës.

Një tjetër risi është “Ref Cam”, që u mundëson shikuesve të shohin pamje nga perspektiva e gjyqtarit. /Zëri