Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”

Bordi i Drejtorëve i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Gjakova” ka vendosur ta shkarkojë Hasan Krasniqin nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, pas shqyrtimit të përgjegjësive të tij menaxheriale dhe trajtimit të çështjes së një objekti administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit, të mbajtur më 23 tetor, me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, transmeton Zeri.info.

Në komunikatën për media, Bordi ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas shqyrtimit të dokumentacionit të kompanisë, akteve të organeve administrative dhe gjyqësore, si dhe sqarimeve të paraqitura nga Krasniqi.

Sipas Bordit, çështja kryesore lidhet me zbatimin e një aktvendimi të 9 shtatorit 2026, përmes të cilit KRU “Gjakova” ishte urdhëruar të ndërmerrte masa për ndërprerjen e aktivitetit të operatorit në një objekt pranë Digës së Liqenit të Radoniqit.

Bordi ka theksuar se ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullonte ekzekutimin e tij dhe se menaxhmenti duhej të ndërmerrte veprime konkrete, të dokumentuara dhe në kohë për zbatimin e urdhrit.

Gjatë shqyrtimit, Bordi ka analizuar edhe dokumentacionin që lidhet me kërkesën e kompanisë të vitit 2017, pëlqimin e datës 2 maj 2017 dhe kontratën e qirasë të nënshkruar më 4 prill 2018.

Sipas komunikatës, nga dokumentacioni i shqyrtuar nuk është identifikuar ndonjë akt i mëvonshëm i organit kompetent që autorizon shprehimisht përdorimin e objektit për destinimin “Restorant dhe Hotel”, siç përcaktohet në kontratën e qirasë.

Bordi ka bërë të ditur se ka marrë parasysh edhe shqetësimet e menaxhmentit lidhur me pasojat e mundshme kontraktuale dhe financiare ndaj operatorit ekonomik. Megjithatë, ka vlerësuar se zbatimi i urdhrit administrativ për ndërprerjen e aktivitetit duhej të trajtohej ndaras nga çështja e zgjidhjes ose ndërprerjes përfundimtare të kontratës së qirasë.

Para marrjes së vendimit, Krasniqit i është dhënë mundësia të paraqesë qëndrimin e tij, të sqarojë veprimet e ndërmarra dhe të dorëzojë dokumentacionin që e konsideronte relevant.

Pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave, Bordi ka vlerësuar se masat e ndërmarra nga kryeshefi ekzekutiv nuk kanë qenë të mjaftueshme për zbatimin e detyrimeve që rridhnin nga aktet administrative të ekzekutueshme.

“Bordi ka vlerësuar se mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje përbënte mangësi serioze në përmbushjen e përgjegjësive menaxheriale dhe kishte cenuar besimin e nevojshëm të Bordit për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të Kryeshefit Ekzekutiv nga z. Hasan Krasniqi”, thuhet në komunikatë.

Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit dhe pasurisë së ndërmarrjes publike, transparencës dhe ushtrimit me përgjegjësi të funksionit mbikëqyrës. /Zëri