Franca mobilizon 70 mijë policë e ushtarë për protestat e sotme

Franca ka mobilizuar rreth 70 mijë policë në mbarë vendin, ndërsa protestat kundër kostos së jetesës kanë vazhduar të shtunën në Paris dhe qytete të tjera, pas trazirave dhe plaçkitjeve të fundjavës së kaluar.

Deri në mesditë, autoritetet kishin arrestuar të paktën 135 persona, raporton Sky News, transmeton Zeri.info.

Sipas mediumit britanik, protestat në kryeqytetin francez kanë nisur nga zona Port d’Italie, pas ndryshimit të itinerarit të përcaktuar fillimisht nga organizatorët. Policia kishte refuzuar që protesta të niste nga Place de la Bastille, duke caktuar një rrugë alternative drejt Porte de Vincennes.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka bërë të ditur se 135 persona janë arrestuar në mbarë vendin deri në orën 13:23, sipas raportimit të Sky News.

Forcat e rendit kanë shtuar kontrollet në stacionet hekurudhore dhe nyjet kryesore të transportit, me qëllim parandalimin e incidenteve. Vetëm në Paris, policia kishte kryer 635 kontrolle dhe kishte sekuestruar sende të ndryshme, përfshirë thika, maska kundër gazit dhe pajisje të tjera që mund të përdoren gjatë trazirave.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë edhe për shkak të frikës nga përshkallëzimi i dhunës, pasi gjatë fundjavës së kaluar u raportuan plaçkitje, dëmtime të bizneseve dhe përleshje me policinë në disa qytete franceze.

Lëvizja protestuese nisi muajin e kaluar me demonstrata të studentëve në Paris, të cilët kundërshtonin kushtet e vështira në shkolla, por më pas u zgjerua në pakënaqësi më të gjera lidhur me koston e jetesës.

Sipas Sky News, trazirat e fundjavës së kaluar shkaktuan dëme në rreth 3.000 biznese, ndërsa rreth 2.400 persona u arrestuan.

Protesta edhe në qytete të tjera evropiane

Pakënaqësitë sociale nuk janë kufizuar vetëm në Francë. Demonstrata janë raportuar edhe në Itali, Shqipëri, Spanjë, Portugali dhe Mal të Zi, ku protestuesit kanë ngritur shqetësime për çështje të ndryshme, përfshirë arsimin, korrupsionin, pensionet dhe koston e banimit.

Në Milano të Italisë janë angazhuar edhe 500 ushtarë shtesë për të përforcuar sigurinë, ndërsa në Tiranë protestat janë zhvilluar në kuadër të pakënaqësive për tarifat universitare, investimet në arsim dhe korrupsionin.

Ndërkohë, në qytetin francez Orléans, protestuesit janë mbledhur jashtë kongresit të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (Rassemblement National), duke kundërshtuar racizmin, fashizmin dhe imperializmin.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet franceze po përpiqen të parandalojnë përsëritjen e dhunës dhe dëmeve të regjistruara gjatë ditëve të fundit. /Zëri