Prokuroria kërkon paraburgim për nëntë të dyshuar për mashtrim përmes Call Center

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohen se gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar në disa lokacione në Prishtinë, të cilat ishin përshtatur dhe shfrytëzuar si qendra të thirrjeve (Call Center).

'Aktiviteti i tyre dyshohet se është zhvilluar në rrugët “Muharrem Fejza”, “Ali Aliu Kelmendi” dhe në lokacione të tjera të identifikuara nga organet e hetuesisë', thuhet në njoftmin e PK-së.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit, me role të ndara dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se përmes paraqitjes së rreme të fakteve kanë mashtruar persona të dëmtuar, kryesisht shtetas suedezë dhe shtetas të tjerë të huaj, duke i nxitur të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre.

Po ashtu, ata dyshohen se përmes përdorimit të pajisjeve dhe sistemeve kompjuterike kanë krijuar mundësi për qasje në distancë në kompjuterët e personave të dëmtuar, duke u paraqitur rrejshëm si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare. Me këto veprime, sipas dyshimeve të Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik”, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Nëntë të pandehurit, që nga 23 tetori 2026, ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit. /Zëri