Ekstradohen nga Mali i Zi dhe Gjermania dy persona të kërkuar nga drejtësia e Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot janë realizuar dy ekstradime drejt Kosovës, njëri nga Mali i Zi dhe tjetri nga Gjermania, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet përkatëse policore.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, shtetasi S.M., i ekstraduar nga Mali i Zi, kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar dhe pas përfundimit të procedurave ligjore është dërguar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për vuajtjen e dënimit.

Ndërkaq, shtetasi E.B., i ekstraduar nga Gjermania, gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar. Pas mbërritjes në Kosovë, ai iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedura të mëtejshme ligjore.“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses një ekstradim nga Mali i Zi dhe një tjetër nga Gjermania për në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Me datë 23.10.2026 është ekstraduar nga Mali i Zi për në Kosovë, shtetasi i Kosovës S.M.,  pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë, i përfshirë në veprimtari penale. Pas kompletimit të procedurave ligjore, personi në fjalë është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për fillimin e vuajtjes se dënimit.".

“Po të njëjtën ditë, është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi i Kosovës E.B., pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë, i përfshirë në veprimtari penale. Pas ekstradimit, i dyshuari u dorëzua njësiteve përkatëse të policisë DRP Prizren për procedura të mëtutjeshme ligjore”.