Tebas i kundërpërgjigjet Real Madridit: “Na akuzojnë për korrupsion, por askush nuk reagon”

Presidenti i LaLigës, Javier Tebas, ka reaguar ashpër ndaj Real Madridit, duke kritikuar heshtjen e autoriteteve sportive spanjolle për akuzat që klubi madrilen dhe televizioni i tij i drejtojnë ndaj ligës dhe arbitrimit.

Përplasja vjen pas deklaratave të Tebasit, i cili krahasoi mënyrat e komunikimit të Real Madridit me mekanizmat e propagandës të përdorur nga Joseph Goebbels, ministri i Propagandës së Gjermanisë naziste.

Për këto deklarata, Këshilli i Lartë i Sportit në Spanjë (CSD) i është drejtuar Tribunalit Administrativ të Sportit (TAD), për të vlerësuar nëse mund të ketë shkelje të rregullave sportive.

Tebas: “Asnjë fjalë qortuese për akuzat ndaj LaLigës”

Në reagimin e tij, Tebas u ankua se drejtuesit e CSD-së nuk kanë reaguar ndaj akuzave të Real Madridit për korrupsion dhe manipulim të garës.

“Ka një heshtje që bie veçanërisht në sy. Nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë qortuese nga sekretari i shtetit për sportin apo nga drejtuesit e lartë të CSD-së ndaj akuzave që drejtuesit e Real Madridit dhe televizioni i tyre, i cili transmeton falë një licence publike, i drejtojnë ndaj LaLigës dhe arbitrimit: korrupsion, garë e manipuluar, kampionate që na i kanë ‘vjedhur’… ASNJË FJALË”, deklaroi Tebas.

Ai këmbënguli se komenti i tij për propagandën kishte të bënte me mënyrat e komunikimit dhe jo me ideologjinë naziste.

“Publikimi im bënte dallim të qartë mes teknikave të propagandës dhe ideologjisë. Ky sqarim ishte pjesë e tekstit që nga momenti i parë”, shtoi ai.

Përplasja mund të përfundojë në tribunal

Tebas tha se tani i takon TAD-it të vlerësojë deklaratat e tij në tërësi dhe në kontekstin përkatës, ndërsa nuk përjashtoi që çështja të përfundojë edhe në gjykata.

Nga ana tjetër, Real Madridi i ka cilësuar deklaratat e presidentit të LaLigës si thellësisht fyese dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i ligës dhe posti i zëvendëspresidentit të Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).

Për momentin, TAD-i duhet të vlerësojë nëse ekzistojnë shenja të një shkeljeje të mundshme. Referimi i çështjes nuk do të thotë se Tebas është shpallur fajtor. /Zëri