“Ambienti” në Pejë gjobitet me 3 mijë euro për parregullsi në deponinë e Sferkës

Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 3 mijë euro ndërmarrjen KRM “Ambienti” në Pejë, për parregullsi në menaxhimin e deponisë së mbeturinave në Sferkë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Fitore Pacolli, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe e ujërave nëntokësore është obligim ligjor për të gjithë.

"Gjatë inspektimit është konstatuar grumbullimi i mbeturinave pa shtresim të rregullt me dhe, tejmbushja e lagunës për grumbullimin e ujërave të ndotura, si dhe mungesa e mirëmbajtjes dhe kontrollit të sistemit të kullimit. Mbrojtja e mjedisit dhe e ujërave nëntokësore është obligim ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, pa përjashtim", tha ajo.