46 raste të dhunës në familje trajtohen brenda një jave në Kosovë
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka trajtuar gjithsej 64 raste të reja në nivel të Republikës së Kosovës, gjatë periudhës 16–23 tetor të këtij viti, prej të cilave 46 raste të dhunës në familje.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, gjatë kësaj periudhe është trajtuar edhe një rast vrasjeje, dy raste të vrasjes në tentativë, një rast i krimeve të luftës, dy raste të kanosjes dhe një rast i degradimit të integritetit seksual.
Po ashtu, janë trajtuar tri raste sulmi, katër raste të lëndimit të lehtë trupor, dy raste dhunimi, një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës dhe një rast i mospërfilljes së gjykatës.
Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur 74 seanca gjyqësore dhe 18 seanca në prokurori, ndërsa janë regjistruar shtatë aktgjykime dënuese, një aktgjykim refuzues dhe një lirues.
Sipas të dhënave të publikuara, janë evidentuar edhe një ankesë, 10 parashtresa, tri përfaqësime në polici dhe një përfaqësim në strehimore.
Gjithashtu, janë regjistruar gjashtë kërkesa për urdhër mbrojtës në proces, gjashtë kërkesa të aprovuara dhe një kërkesë e tërhequr nga pala.
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka evidentuar edhe 15 deklarata të pëlqimit të viktimës, 36 këshilla juridike, nga një referim të rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS), në strehimore dhe në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), si dhe 17 shënime zyrtare.