Shqipëria nënshkruan marrëveshje me Bordin e Paqes për misionin në Gaza
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza.
Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, marrëveshja është nënshkruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandanti i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, si dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt.
Lidhur me këtë marrëveshje, ministri Nufi ka bërë një njoftim përmes një postimi në Facebook, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri në Gaza.
“Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza”, ka shkruar Nufi.