Berisha: Raporti i të plagosurve në protestë të paktën 15 qytetarë me 1 polic
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Kryeministri Edi Rama manipuloi të dhënat mbi numrin e protestuesve dhe punonjësve të policisë të plagosur gjatë protestave të ditëve të fundit.
Në një konferencë për mediet, Berisha tha se numri i protestuesve të lënduar është shumë më i lartë duke shtuar se “Rama u shfaq si një zëdhënës i prokurorisë së kohërave të shkuara”.
“Akuzoi, apo paraqiti një galeri emrash, sipas tij të inkriminuar, me akuza nga më të ndryshmet, tek armët e ftohta, tek prodhimi dhe përdorimi i drogës, shkoi gjer tek incesti. Raporti i plagosjeve protestues-polic është të paktën minimumi 1 me 15, mund të jetë 1 me 30, sepse janë me dhjetëra e qindra të plagosur që shmangin spitalet për t’iu shmangur persekutimit”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD tha se shumë protestues kanë mbetur të plagosur gjatë përplasjeve pranë Ministrisë së Arsimit.
“Të miturit kanë bërë histori në Shqipëri dhe në botë. Se të miturit në të gjitha konventat ndërkombëtare kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre. Dhe të miturit në protestat e tyre janë të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar dhe ligji i vendit”, deklaroi Berisha.
Ai solli si shembull ngjarjet e 21 shkurtit 1991, kur u rrëzua busti i ish-diktatorit Enver Hoxha, duke theksuar se një 13 ose 14-vjeçar luajti rol në atë moment.
“Si në një mrekulli, ishte një i mitur, 13 ose 14-vjeçar i cili në këtë moment ndër më dramatikët të atij revolucioni shkoi dhe rrëzoi bustin, e bëri copa-copa. Kanë bërë histori të miturit, dhe po bëjnë histori. Janë vërtet në moshë të re, po guximi i tyre është i pakufishëm”, tha Berisha.
Berisha komentoi gjithashtu pamjet e publikuara nga kryeministri Rama për personat e ndaluar gjatë protestave, duke përmendur rastin e një studenti të Mjekësisë, i cili për mediet nga protesta mohoi të ishte si person i përfshirë në veprimtari kriminale. “Ai ishte student me të gjitha dhjeta. Dhe ky e paraqiste atë si kriminel”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të situatës, duke theksuar se qëndrimi i qeverisë ndaj studentëve mund të çojë në konflikt civil./atsh