ASK: Eksporti në muajin shtator 2026 mbulon importin me 17,0 %

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin shtator 2026, sipas të cilave eksporti mbuloi importin me vetëm 17 për qind.

"Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 2,6 % në muajin shtator 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 534,0 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 520,5 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 17,0 %. Eksporti i mallrave në muajin shtator 2026 kishte vlerën 109,4 milion Euro, ndërsa importi 643,4 milion Euro, që është një rritje prej 27,5 % për eksport, si dhe një rritje prej 6,1 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025", njofton ASK.

ASK njofton se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24,3 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17,1% e përbëjnë produktet minerale; 10,3 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,1 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,9 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; etj.

"Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 19,8% e përbëjnë produktet minerale; 11,8 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,2 % e përbëjnë mjetet e transportit; 11,1 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,1 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj", njofton ASK.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 34,2 milion Euro, ose rreth 31,3 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 22,1 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,8 %), Holanda (2,7 %), Bullgaria (2,3 %), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 281,0 milion Euro, ose 43,7 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12,7 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,5 %), Greqia (6,5 %), Italia (4,4 %), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 55,6 milion Euro, ose 50,8 % të eksporteve  të përgjithshme, me një rritje prej 36,8 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (25,3 %), Maqedonia e Veriut (13,9 %), Mali i Zi (5,0 %), Serbia (4,5 %), etj.

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 86,7 milion Euro, ose 13,5 % të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 1,2 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (6,2 %), Shqipëria (3,0 %), Serbia (3,0 %).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 19,6 milion Euro, ose 17,9 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (8,0 %) dhe Turqia (3,6 %).  

Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 275,7 milion Euro, ose 42,8 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (15,2 %) dhe Turqia (10,5 %).