Kosova nga sot ka 515 ushtarë më shumë

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ka nisur ceremonia e betimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ceremoni po marrin pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kurti gjatë fjalimit të tij tha se Kosova nga sot do të ketë 515 ushtarë më shumë që do të shërbëjnë në mbrotje të vendit.

“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”.

Kështu e nisi fjalimin Kurti, duke shtuar: “Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë”.

Të pranishëm janë edhe oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.