Kërçeli: Ligji për Specialen të punohet nga të gjitha partitë, ndërhyrjet politike mund ta dëmtojnë procesin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se ligji për Dhomat e Specializuara duhet të rishikohet dhe të punohet bashkërisht nga të gjitha subjektet politike, në mënyrë që të përmirësohen dispozitat e tij dhe të arrihet një dakordim para se të sillet sërish në Kuvend për votim.

Kërçeli ka deklaruar se LVV-ja nuk e konsideron veten përgjegjëse për votimin e këtij ligji, duke theksuar se, sipas tij, partia kishte bërë thirrje që të mos nxitohej me miratimin e tij.

“LVV nuk e bënë aspak përgjegjëse për votimin e këtij ligji për Specialen, VV vazhdimisht ato ditë ka bërë thirrje që mos të ngutemi dhe mos ta votojmë një ligj për të cilin pastaj mund të dalemi keq dhe mund të kthehet nga Gjykata Kushtetuese, ishte pikërisht PDK që e kushtëzoi zgjedhjen e presidentes dhe vazhdimin e formimit të institucioneve, kjo ishte arsyeja që LVV ishte e sinqertë që deklaronte se nuk ish e interesuar për zgjedhje të reja”, ka thënë Kërçeli.

Ai ka theksuar se, ndonëse ligji tashmë është rikthyer në Kuvend, ekziston mundësia që grupet punuese të ulen dhe ta rishikojnë atë, duke i përmirësuar pjesët ku vlerësohet se ka zbrazëtira.

“Ligji edhe pse tashmë është rikthyer në Kuvend mund të ulen grupet punuese ta shkruajnë dhe ta përmirësojnë aty ku mendojnë që ka zbrazësia. LVV është zotuar dhe ka premtuar se përsëri do ta votojë ligjin, unë mendoj që tashmë ky ligj duhet të punohet nga të gjitha subjektet politike, mendoj që nga sot nuk i takon vetëm PDK-së që ta shkruajë dhe ta sjellë në Kuvend, mirëpo unë mendoj që kishte me qenë shumë mirë që të krijohet një grup i eksperteve aty brenda Kuvendit dhe të punohet bashkërisht ky ligj dhe të ketë një dakordim të plotë të të gjitha subjekteve para të sillet në Kuvend për votim”, është shprehur ai. 

Duke folur për përmbajtjen e ligjit dhe ndikimin e mundshëm të tij në proceset gjyqësore në Hagë, Kërçeli ka thënë se grupi që do të merret me hartimin e tij duhet të jetë i kujdesshëm, në mënyrë që të mos krijohen pasoja të mëtejshme për krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor.

“Mendoj që grupi i cili merret për ta shkruar këtë ligj për Dhomat e Specializuara, mendoj që do të kemi shumë kujdes së çfarë vendosin në këtë ligj dhe si mund t’i ndihmojmë krerët në Hagë, me aq sa kam dëgjuar nga deklaratat e oponentëve të ndryshëm mendoj që kjo duhet t’i ndihmojmë për të ardhmen që të mos akuzohen dhe mos të burgosen pa pasur fakte dhe prova të barazueshme”, ka deklaruar Kërçeli.

Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti, sipas mundësive që ka pasur, ka bërë mjaftueshëm për t’i ndihmuar krerët e UÇK-së në Hagë, duke shtuar se ndërhyrjet e tjera politike mund të kenë ndikim negativ në proces.

“Qeveria Kurti me aq mundësi që ka pasur mendoj që ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar krerët e UÇK-së në Hagë me ato procedurat të cilat kanë qenë dhe të cilat janë vendosur atëherë kur është votuar ligji për Gjykatën Speciale. Mendoj që ndonjë ndërhyrje tjetër politike do ta dëmtonte edhe më shumë procesin”, ka përfunduar Kërçeli. /Tëvë1