Goditje për Barcelonën, Kounde pothuajse jashtë “El Clasico”-s

Barcelona rrezikon të mbetet pa Jules Kounden për "El Clasico"-n e së dielës kundër Real Madridit.

Mbrojtësi francez ende nuk është rikthyer në stërvitjet në fushë, ndërsa rikuperimi nga ndrydhja e kyçit të këmbës së majtë po ecën më ngadalë sesa pritej.

Sipas AS, Kounde nuk doli në fushë të premten, por vazhdoi rehabilitimin në palestër, nën mbikëqyrjen e një fizioterapisti.

Lëndimi, të cilin e pësoi në ndeshjen kundër Betisit, është pak më i rëndë se shkalla e parë, por nuk arrin shkallën e dytë. Rikuperimi i plotë mund të kërkojë rreth dy javë.

Flick shpresonte ta kishte të paktën në stol

Trajneri Hansi Flick shpresonte që francezi të ishte në dispozicion, qoftë edhe si alternativë nga stoli.

Megjithatë, me më pak se 48 orë deri në përballjen me Real Madridin, gjasat për rikthimin e tij janë shumë të vogla.

Barcelona mund të mbështetet te Xavi Espart, i cili la përshtypje shumë të mira në krahun e djathtë të mbrojtjes në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit.

Edhe Eric García mungon

Problemet në mbrojtje nuk përfundojnë me Kounden. Eric Garcia gjithashtu do të mungojë për shkak të një lëndimi në muskulin e drejtë të përparmë të kofshës së djathtë.

Plani për Kounden është që ta shfrytëzojë javën e ardhshme për rikuperim të plotë, me synimin që të rikthehet për ndeshjen kundër Alavesit, më 31 tetor.

Kështu, Barcelona po përgatitet për "El Clasico"-n me pasiguri të mëdha në repartin defensiv. /Zëri