Shiroka-Pula merr letër urimi nga presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë letër urimi nga presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, me rastin e marrjes së detyrës.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, bëhet e ditur se në letrën e urimit, presidenti Van der Bellen ka vlerësuar marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Austrisë në fushën politike, ekonomike e kulturore, si dhe lidhjet e fuqishme njerëzore ndërmjet dy vendeve.

Ai ka shprehur vlerësimin e tij për rolin e rëndësishëm të mërgatës kosovare në Austri.

Presidenti austriak ka theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Presidenten Shiroka Pula në forcimin e këtyre marrëdhënieve, në funksion të së ardhmes së përbashkët evropiane.

Në letër, Van der Bellen ka ritheksuar përkushtimin e Austrisë për integrimin në Bashkimin Evropian të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke siguruar se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e reformave dhe përparimin e saj drejt integrimit evropian.

Në fund të letrës, presidenti austriak i ka uruar presidentes Shiroka-Pula suksese në përmbushjen e mandatit të saj. /Zëri