Agim Ademi e fsheh skandalin me Amir Rrahmanin, thur lavde për lojtarët që u larguan nga Kombëtarja
Amir Rrahmani muajin e kaluar ua qiti krejt të palarat drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës përmes një letre të lamtumirës.
Kapiteni i deridjeshëm i Kombëtares foli për kërcënime e fyerje, duke zbuluar se problemet e tij në Kombëtare datojnë qe dy vjet.
Madje, ylli i Napolit ka bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të FFK-së Agim Ademit dhe ndaj dy zyrtarëve dhe 2-3 gazetarëve.
E krejt këtë tollovi është munduar ta fshehë kreu i FFK-së Agim Ademi, në intervistën e fundit që e dha për KosovaPress.
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Ademi nuk e zuri në gojë kapitenin që po i zbulon skandalet, e as largimin "e rebeluar" të Florent Hadërgjonajt, i cili tha se ka probleme me stafin teknik dhe se po largohej pas situatës së fundit...
“Janë çështje normale për mua. Secilit i dëshiroj sukses atyre që janë larguar dhe nuk janë më pjesë e kombëtares. Kontributi i tyre gjithmonë ka qenë i pashlyer. Dëshira ime ka qenë dhe është që të gjithë këta gladiatorë tanë dardanë, siç i quaj futbollistët e Republikës, që nga koha kur jemi krijuar si shtet dhe jemi pranuar si federatë në UEFA dhe FIFA, të shënohen me shkronja të arta në pjesën e futbollit të Kosovës që këta e kualifikuan Kosovën sepse kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që nga fillimi”, u shpreh Ademi.
Problemet në Kombëtare kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa në të kaluarën zërin ndaj padrejtësive dhe parregullsive e kanë ngritur edhe yjet si Edon Zhegrova, Arbër Zeneli e Bersant Celina. /Zëri