Dyshime për Messin para ceremonisë së Topit të Artë, a do të jetë i pranishëm?

Lionel Messi është përfshirë në diskutimet para ceremonisë së Topit të Artë, e cila do të mbahet më 26 tetor në Londër.

Raportimet e mëparshme sugjeronin se kapiteni i Inter Miamit mund të merrte pjesë në mbrëmjen gala dhe madje të dorëzonte trofeun për fituesin e këtij edicioni.

Megjithatë, gazetari i njohur Fabrizio Romano i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Sipas tij, Messi nuk është ftuar për të dorëzuar ndonjë çmim, ndërsa pjesëmarrja e tij në ceremoni ende nuk është konfirmuar.

Messi është edhe kandidat për çmimin

Situata është edhe më interesante pasi argjentinasi është ndër 30 kandidatët për Topin e Artë 2026, së bashku me emra të njohur si Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal.

Messi synon ta fitojë për herë të nëntë këtë çmim prestigjioz, duke e zgjeruar rekordin e tij historik.

Ceremonia e 26 tetorit në Londër shënon edicionin e 70-të të Topit të Artë.

Deri atëherë, mbetet të shihet nëse legjenda argjentinase do të jetë e pranishme në këtë ngjarje. /Zëri