Courtois zbulon çfarë ndodh në zhveshtoren e Real Madridit: Këndojmë këngën për Mbappen diktator

Memet që e paraqesin Kylian Mbappen si diktator janë bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa kjo temë është kthyer edhe në një shaka mes futbollistëve të Real Madridit.

Courtois, në një intervistë për DAZN Belgium, ka treguar se si skuadra e përjeton këtë fenomen.

“Diktatori Mbappe? Ne qeshim me këtë dhe ndonjëherë e përsërisim edhe në formë kënge brenda zhveshtores”, ka deklaruar portieri belg, sipas raportimeve të mediave.

Sipas Courtois, këto batuta janë pjesë e humorit të përditshëm të skuadrës madrilene.

Courtois e mbështet Mbappen për Topin e Artë

Përveç kësaj teme, portieri i Real Madridit ka folur edhe për garën për Topin e Artë, duke shprehur mbështetjen e tij për bashkëlojtarin francez.

“Për mendimin tim, në aspektin individual nuk ka pasur asnjë lojtar më të mirë se Kylian. Fatkeqësisht, në aspektin kolektiv nuk kemi fituar asgjë”, ka thënë Courtois.

Belgu ka përmendur edhe Lamine Yamalin, i cili pati një sezon të suksesshëm me Barcelonën dhe përfaqësuesen e Spanjës.

Sipas tij, trofetë e fituar nga Yamal mund të kenë ndikim në garën për çmimin individual më prestigjioz të futbollit.

Megjithatë, Courtois mbetet i bindur se Mbappe ishte ndër lojtarët më të mirë në aspektin individual. /Zëri